This site uses cookies to store information on your computer. I'm fine with this Cookie information

Analizat

Testing - Albanian

Analizat 

Pse t'i kryeni analizat për IST?  

Është e rëndësishme të bëni analiza për të parë nëse keni ndonjë simptomë që mund të jetë për shkak të një IST-je, por edhe nëse keni pasur një ndryshim të partnerit seksual ose një partner që ka pasur një IST. Shpesh njerëzit me IST nuk kanë simptoma, kështu që gjithmonë ia vlen të bëni analiza nëse ka pasur rrezik infeksioni dhe nëse nuk keni bërë analiza kohët e fundit. 

Simptomat e zakonshme të IST-ve  

  • dhimbje gjatë urinimit  
  • kruajtje, djegie ose ndjesi shpimi rreth organeve gjenitale  
  • sekrecione të pazakonta nga organet gjenitale ose anusi 
  • flluska, plagë, njolla ose gunga rreth organeve gjenitale ose anusit 
  • gjakderdhje midis menstruacioneve ose pas marrëdhënieve seksuale 
  • dhimbje gjatë seksit 
  • dhimbje në pjesën e poshtme të barkut 
  • skuqje në trup me simptoma gripi 

Kur duhet t'i kryeni analizat 

Nëse keni simptoma ose keni pasur kontakt me një infeksion, është e rëndësishme që të bëni analizat sa më shpejt të jetë e mundur. Na telefononi në numrin 0141 211 8130 për të lënë një takim. 
 
Nëse nuk keni simptoma, ndonjëherë mund të jetë më mirë të mos bëni menjëherë analiza pasi mund të duhet pak kohë që trupi juaj të shfaqë shenja të infeksionit që të zbulohet nga analizat. Merrni parasysh informacionin e mëposhtëm para se të bëni një analizë. Nëse është bërë shumë herët, mund të mos jetë e saktë. 

  •  klamidia dhe gonorrea të shfaqen në një analizë mund të duhen dy javë pas kryerjes së marrëdhënies seksuale 
  • Analiza për HIV është shumë e saktë 45 ditë (rreth 6 javë) pas kryerjes së marrëdhënies seksuale 
  • Për sifilizin mund të duhen deri në 12 javë pas kryerjes së marrëdhënies seksuale për t'u shfaqur në një analizë 

Nëse jeni të shqetësuar për rrezikun e ekspozimit ndaj HIV-it në 72 orët e fundit, na telefononi në numrin 0141 211 8130 pasi mund të keni nevojë për trajtim, PPE, për të parandaluar infeksionin. 

Si të rezervoni një takim  
Telefononi "Sandyford" në numrin 0141 211 8130. Nëse nuk flisni anglisht, mund të kërkoni që në takimin tuaj të jetë i pranishëm një interpret. Na tregoni gjuhën dhe dialektin që ju nevojiten kur rezervoni takimin dhe ne do të marrim masat. 

Informacione të mëtejshme për shërbimin e interpretimit mund të gjenden në  

https://www.sandyford.scot/sexual-health-services/i-need-an-interpreter/ 

Si kryhen analizat  
 
Kryerja e analizave është një proces shumë i thjeshtë. Kur të paraqiteni, do të na duhet t'ju bëjmë disa pyetje në lidhje me shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe jetën seksuale, në mënyrë që të dimë se cilat analiza janë të duhurat për ju. Përgjithësisht të gjithëve do t'u ofrohen analiza për klamidian, gonorrean, sifilizin dhe HIV-in. Nëse është e nevojshme, ndonjëherë ne bëjmë analiza për infeksione të tjera dhe kjo do të diskutohet me ju atë ditë.  
HIV-i dhe sifilizi analizohen duke marrë një kampion gjaku. Klamidia dhe gonorrea analizohen me anë të tamponëve te gratë, dhe te burrat me anë të një kampioni urine dhe nëse është e nevojshme, edhe me tampon. Nëse nuk keni simptoma, mund t'i merrni vetë këto kampione. 

Informacione të mëtejshme për klamidian; gonorrean, trikomonasin, sëmundjen inflamatore të legenit, sifilizin, herpesin gjenital, lythat gjenitale, LGV-në, morrat pubikë, stomatomikozën mund të gjenden tek informimet e NHS-së - në secilën nga faqet e internetit, ekziston një lidhje me përkthimet në kolonën e djathtë: 

Konfidencialiteti 

Ne ofrojmë një shërbim konfidencial dhe pa autorizimin tuaj nuk do të ndajmë me askënd informacione të identifikueshme rreth jush, përveç nëse na kërkohet ligjërisht ta bëjmë këtë, ose nëse besojmë se ju ose një person tjetër është në rrezik ose ekziston rrezik për shëndetin. Ne ju inkurajojmë të përdorni emrin tuaj të vërtetë kur të paraqiteni dhe ky informacion do të jetë i sigurt në regjistrin tonë elektronik në "Sandyford".  

Flisni me ne për shëndetin tuaj seksual 

Për t'u siguruar që të përfitoni kujdesin më të mirë të mundshëm gjatë vizitës tuaj, stafi i "Sandyford" mund të bëjë pyetje personale dhe të ndjeshme në lidhje me historikun tuaj mjekësor dhe seksual, të tilla si: 

  • kur keni kryer marrëdhënie seksuale për herë të fundit 
  • nëse keni kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura 
  • nëse keni ndonjë simptomë 
  • pse mendoni se mund të keni një infeksion 

Stafi nuk është aty për t'ju gjykuar. Ajo që do të thoni nuk do të na tronditë apo vendosë në siklet, por duhet të jeni të sinqertë, në mënyrë që ne të bëjmë analizat, t'ju trajtojmë dhe t'ju mbështesim sa më mirë. Çdo gjë që thoni do të mbahet konfidenciale në sistemin tonë të regjistrimit elektronik, përveç rastit kur, me autorizimin tuaj, ne kërkojmë të ndajmë informacione në mënyrë që t'ju referojmë në një shërbim tjetër. Në situata shumë të rralla, personelit mund t'i duhet të ndajë informacione për t'ju mbrojtur. Mund të zgjidhni të vizitoheni nga një profesionist mjekësor mashkull ose femër, nëse preferoni, por mund t'ju duhet të prisni më shumë se zakonisht nëse klinika është e zënë, dhe duhet të na informoni për këtë kur të rezervoni takimin tuaj. 

Si mund të marr trajtim nëse rezultatet për infeksionet seksualisht të transmetueshme janë pozitive? 

Nëse jeni informuar se një prej rezultateve të IST-së është pozitiv dhe keni nevojë për trajtim, ekipi i shërbimit do t'ju caktojë një takim për t'u kthyer për këtë trajtim.  

Çfarë duhet të prisni para se të paraqiteni 

Kohëzgjatjet e takimeve mund të variojnë nga 10 minuta për një vizitë vetëm për analizë deri në 90 minuta për një seri të plotë analizash, diagnoze dhe trajtimi. Në takimin tuaj ne do të bëjmë më të mirën për t'ju siguruar se ne kujdesemi për nevojat tuaja, por në disa raste mund t'ju kërkojmë të ktheheni për një takim tjetër si pjesë e shërbimit që ofrojmë. 

Nëse përpara takimit ju kemi dërguar një letër, në të do të kemi përfshirë të gjithë informacionin përkatës që ju nevojitet para takimit. 

Çfarë duhet të prisni kur të paraqiteni 

Nëse keni kërkuar një interpret, do të takoheni me të në orarin e takimit.  

Çfarë ndodh kur mbërrij? 

Kur të mbërrini do të mirëpriteni nga një recepsionist që do t'ju japë një kartë me numër, një paketë që përfshin informacion mbi shërbimin e ofruar, një dokument konfidencialiteti ku shpjegohet se çfarë ndodh me informacionin tuaj personal, si dhe një formular regjistrimi. Recepsionisti do t'ju kërkojë të uleni derisa t'ju vijë radha për t'u regjistruar. Mund ta njoftoni recepsionistin nëse keni nevojë për ndihmë në plotësimin e formularit të regjistrimit. Plotësoni sa më shumë informacion. 

Sa kohë do të më duhet të pres? 

Ne bëjmë më të mirën për t'u siguruar që vizita të kryhet sa më afër orës së takimit që keni lënë. Fatkeqësisht, ka raste kur kjo mund të mos ndodhë. Nëse jeni paraqitur për një takim dhe keni pritur 30 minuta dhe nuk ju kanë thirrur, ju lutemi njoftoni një punonjës të recepsionit i cili do të mund të zbulojë se çfarë po ndodh. Duke qenë se kemi më shumë se një klinikë që funksionojnë njëherësh, ju mund të hyni pas një personi që mbërrin më vonë se ju. 

Po sikur të mbërrij me vonesë 

E dimë se ka raste që pacientët mund të vonohen në takimin e tyre. Nëse mbërrini me vonesë për takimin tuaj, nuk mund të garantojmë se do të mund respektojmë kohëzgjatjen e plotë të takimit fillestar. Nëse mbërrini me vonesë për takimin tuaj, recepsionisti do të bëjë të mundur që një anëtar i ekipit klinik të vijë dhe të flasë me ju. Mund t'ju duhet të prisni derisa dikush të jetë i disponueshëm. Për disa gjendje klinike dhe procedura ne nuk jemi në gjendje t'ju pranojmë nëse jeni me vonesë. Nëse ndodh kjo, ne do të lëmë një takim tjetër me ju. 

Kë do të shoh gjatë konsultës? 

Shumica e shërbimeve tona kryhen nga një staf klinicistësh, të cilët mund të jenë mjekë, infermierë, asistentë të kujdesit shëndetësor, këshilltarë ose psikologë, në varësi të shërbimit. I gjithë stafi ynë do të prezantohet kur të thirreni në dhomën e klinikës. 

Nëse për vizitën keni preferencë për gjininë e mjekut, ju lutemi na informoni kur të rezervoni takimin tuaj. Ne do të përpiqemi ta respektojmë kërkesën sa herë që mundemi, por nuk mund ta garantojmë gjithmonë. 

Si kryhen analizat e mia? 

Mund t'ju duhet të jepni një kampion urine ose gjaku. Për disa analiza kërkohet që tamponët të merren nga organet gjenitale dhe, në varësi të llojit të marrëdhënies seksuale që keni kryer, nga fyti dhe rektumi. Kjo mund të jetë pak e sikletshme, por stafi i klinikës është specializuar në kryerjen e këtyre analizave, kështu që jeni në duar të sigurta. Për disa analiza mund të nevojitet që mjeku të shikojë organet tuaja gjenitale. Nëse ndiheni më rehat me një mjek të së njëjtës gjini, na informoni kur të rezervoni takimin tuaj. 

A mund të marr me vete fëmijë? 

Është më mirë të mos merrni fëmijë me vete, pasi në ndërtesë nuk ka ambiente për kujdesin ndaj fëmijëve. Nëse duhet të vini në vizitë me fëmijën, merrni me vete një person tjetër të rritur që të kujdeset për të në zonën e pritjes ndërkohë që jeni në klinikë. Përndryshe, mund t'ju kërkohet të ktheheni sërish pa fëmijët tuaj. 

Nëse mund t'i lini fëmijët tuaj me një person të rritur të besuar, përgjatë rrugës është një park i bukur me disa fusha për lojëra.