This site uses cookies to store information on your computer. I'm fine with this Cookie information

PEP

PEP - Albanian

Informacione për faqen e internetit të PPE:  

https://www.sandyford.scot/sexual-health-services/pep/ 

Shërbimet e "Sandyford": COVID-19 

"Sandyford" po vazhdon të sigurojë PPE për ekspozimin seksual ndaj HIV-it. 

Para se të paraqiteni, telefononi në numrin 0141 211 8130. Një infermiere do t'ju bëjë disa pyetje për të mësuar nëse PPE-ja është e përshtatshme për ju dhe do t'ju lërë një takim nëse nevojitet. 

Në rast se "Sandyford" do të jetë mbyllur, mund të merrni PPE në repartet e urgjencave dhe aksidenteve. 

Nëse mendoni se jeni ekspozuar ndaj HIV-it, mund të ulni rrezikun e infektimit duke marrë profilaksinë pas ekspozimit (PPE), i cili është një trajtim i shkurtër me mjekime. 

Si e marr PPE-në? 

Nuk ju duhet të lini takim për të marrë PPE-në. Ju mund të merrni PPE-në duke u paraqitur në "Sandyford Central" gjatë orëve kur është hapur. Kur "Sandyford" është i mbyllur mund të merrni PPE në repartet e urgjencave dhe aksidenteve. Do të vizitoheni nga një infermiere që do të vlerësojë nëse PPE-ja është e përshtatshme për ju. 

PPE-ja mund të merret deri në 72 orë (3 ditë) pas ekspozimit seksual, por ka më shumë gjasa të jetë efektive brenda 24 orëve (1 dite), kështu që është e rëndësishme të veproni shumë shpejt.  

Çfarë është PPE? 

PPE (profilaksia pas ekspozimit ndaj HIV-it) është një trajtim 4 javor me pilula që mund t'i merrni nëse keni qenë në rrezik të konsiderueshëm ekspozimi ndaj HIV-it. Mjekimet mund të ndalojnë infektimin me HIV. 

Sa kohë pasi mendoni se keni qenë në rrezik infektimi me HIV, duhet ta merrni PPE? 

PPE duhet të fillohet sa më shpejt të jetë e mundur sepse provat sugjerojnë se është më efektive kur fillon brenda pak orësh nga ekspozimi ndaj HIV-it. PPE nuk do të jepet nëse kanë kaluar më shumë se 72 orë (3 ditë) pasi mendoni se jeni rrezikuar nga HIV-i. 

Për sa kohë duhet të merrni PPE? 

Trajtimi i PPE-së me pilula zgjat 4 javë. Është e rëndësishme të mos harroni asnjë tabletë dhe t'i merrni ato në oraret e specifikuara. 

A ka efekte anësore nga PPE? 

Mund t'ju shfaqen disa efekte anësore të tilla si të vjella, diarre, dhimbje koke, lodhje. Mjeku juaj do të diskutojë me ju para se të përshkruajë PPE-në. Gjatë trajtimit me PPE, do t'ju duhet të bëni disa analiza gjaku për të monitoruar efektet në trupin tuaj. 

Nëse një person po merr PPE a e bën atë imun ndaj HIV-it? 

Marrja e PPE-së ul rrezikun e transmetimit të HIV-it pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, por nuk e eliminon plotësisht. 

Nëse dikush del negativ për HIV pas marrjes së PPE-së dhe pastaj kryen marrëdhënie seksuale pa prezervativ, ai/ajo mund të infektohet me HIV ashtu si çdo person tjetër që është negativ për HIV. 

A është ende e rëndësishme përdorimi i prezervativëve? 

Po.Është ende e rëndësishme të përdorni prezervativë sepse: 

  • Përdorimi i prezervativit ka më shumë të ngjarë të ndalojë transmetimin e HIV-it sesa PPE. 
  • Prezervativët ofrojnë mbrojtje ndaj shtatzënisë si dhe ndaj IST-ve si klamidia, gonorrea dhe sifilizi, ndërsa PPE nuk e ofron këtë mbrojtje. 
  • Prezervativët gjenden lehtësisht në një sërë vendndodhjesh pranë jush.Për të mësuar se ku mund të gjeni prezervativë falas, shikoni në faqen e internetit të Prezervativë falas 

Më nevojitet një interpret 

https://www.sandyford.scot/sexual-health-services/i-need-an-interpreter/ 

Nëse nuk flisni anglisht, mund të kërkoni që në takimin tuaj të jetë i pranishëm një interpret. 

Na tregoni gjuhën dhe dialektin që ju nevojiten kur rezervoni takimin dhe ne do të marrim masat. 

Nëse takimi juaj është më pak se dyzetegjashtë minuta, ne mund të shfrytëzojmë interpretimin përmes telefonit. Kjo do të varet nga procedura; pasi në disa procedura mund të parapëlqejmë të kemi takime ballë për ballë. Stafi i "Sandyford" nuk lejohet të përdorë asnjë nga familjarët ose miqtë e tyre si interpretë. 

A duhet të paguaj për interpret? 

Jo. Ky shërbim është falas. 

A mund të kërkoj interpret mashkull ose femër? 

Po. Na tregoni çfarë parapëlqeni dhe ne do të përpiqemi t'ua ofrojmë. Alternativa juaj mund të mos jetë gjithmonë e disponueshme dhe ne do t'ju informojmë nëse është ky rasti. 

A mund të kërkoj interpretim përmes telefonit? 

Po. Mund ta zgjidhni këtë opsion nëse nuk dëshironi që interpreti të jetë në dhomë me ju. Gjithashtu, mund të përdorim interpretimin përmes telefonit në rast se nuk disponohen interpretë ballë për ballë. 

A do ta dijë interpreti që do të interpretojë në një takim në lidhje me shëndetin seksual? 

Po. Interpretët e njohin gamën e plotë të shërbimeve të "Sandyford" dhe e dinë se do të përkthejnë fjalë dhe fraza që përdoren në shëndetin seksual. 

Këtu përfshihen përkthime për pjesët intime të trupit, seksin dhe llojet e ndryshme të marrëdhënieve seksuale, shtatzëninë, kontraceptivët, abortin, analizat dhe trajtimet. 

Nëse keni nevojë për një ekzaminim intim në "Sandyford", interpreti do të presë pas një perdeje dhe nuk do të mund t'ju shikojë. 

Po nëse ndihem në siklet që interpreti të dijë detaje seksuale rreth meje? 

Interpretët tanë janë trajnuar dhe do të përkthejnë pa paragjykuar. Ata janë mësuar me një sërë njerëzish të ndryshëm me përvoja të ndryshme seksuale. 

Këtu përfshihen personat që kanë marrëdhënie seksuale me njerëz të seksit të kundërt ose të njëjtë. Përfshihen personat që kanë identitet gjinor të ndryshëm nga ai me të cilin kanë lindur. 

Çdo gjë mbetet e fshehtë dhe konfidenciale. 

Çfarë mund të pres nga interpreti? 

  • interpreton vetëm atë që thoni. 
  • ju thotë saktësisht atë që të thotë anëtari i stafit tonë. Nuk duhet të bëjnë asgjë tjetër. 
  • Është e rëndësishme të flisni ngadalë dhe qartë me anëtarin e stafit tonë në mënyrë që interpreti të mund të interpretojë atë që thoni. 

Çfarë nuk mund të bëjnë interpretët? 

  • interpretët nuk mund të flasin ose të veprojnë në emrin tuaj (advokim)
  • ata nuk mund të bëjnë një bisedë private me ju. 
  • ata vetëm do të përkthejnë dhe do t'ju ndihmojnë të plotësoni formularët që po ju lexon stafi. 

Konfidencialiteti 

Çdo gjë që thoni do të mbahet e fshehtë dhe konfidenciale. Interpretët punojnë për "NHS Greater Glasgow and Clyde". Ata duhet të ndjekin të njëjtat rregulla strikte për konfidencialitetin që zbatohen për të gjithë mjekët, infermierët, këshilltarët dhe të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë. 

Interpretët nuk lejohen t'i tregojnë askujt për takimin tuaj dhe çdo gjë që ka ndodhur ose është folur gjatë tij. 

Po sikur të ndihem në siklet nga prania e interpretit në takimin tim? 

Nëse për ndonjë arsye ndiheni në siklet nga prania e interpretit në takimi, keni të drejtë t'i kërkoni të largohet. Ne do të përdorim shërbimin e interpretimit përmes telefonit për të vazhduar takimin tuaj. Thjesht informojeni anëtarin e stafit të "Sandyford" se dëshironi të flisni vetëm me ta dhe interpreti do të largohet nga dhoma.   

Kontakti 

Nëse dëshironi të na bëni pyetje në lidhje me shërbimin e interpretimit, na dërgoni email ose na telefononi në numrin 0141 211 8130 dhe kërkoni të flisni me një anëtar të stafit.